Secondary Adv

E para në Europë, Franca ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Franca është bërë vendi i parë në Europë që miraton një ligj për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa platformat do të detyrohen të zbatojnë sisteme të verifikimit të moshës.

Parlamenti francez ka miratuar përfundimisht projektligjin që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit nën moshën 15 vjeç. Pas votimit në Senat, reforma mori edhe miratimin e Asamblesë Kombëtare me 279 vota pro dhe 81 kundër. Ligji pritet të hyjë në fuqi në muajin shtator dhe synon të mbrojë shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe adoleshentëve në mjedisin dixhital.


Masa ishte pjesë e premtimeve të presidentit Emmanuel Macron dhe konsiderohet një nga nismat kryesore të fazës së fundit të mandatit të tij. Sipas ligjit, platformat e rrjeteve sociale do të duhet të vendosin mekanizma të detyrueshëm për verifikimin e moshës së përdoruesve. Paketa përfshin gjithashtu ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat e mesme.


Australia dhe vende të tjera kanë ndërmarrë masa të ngjashme

Franca i bashkohet një grupi shtetesh që kanë vendosur kufizime të forta për aksesin e të miturve në rrjetet sociale. Australia zbaton që nga dhjetori 2025 ndalimin e plotë për fëmijët nën 16 vjeç, i konsideruar si ligji më i ashpër në botë në këtë fushë. Legjislacioni parashikon gjoba deri në 49.5 milionë dollarë australianë për kompanitë që nuk respektojnë detyrimet.


Një masë e ngjashme është në fuqi edhe në Malajzi që prej 1 qershorit 2026, duke e bërë atë vendin e parë aziatik që vendos një ndalim të plotë për përdoruesit nën 16 vjeç. Ndërkohë, Indonezia ka ndaluar aksesin e fëmijëve nën 16 vjeç në platformat e konsideruara me rrezik të lartë, si TikTok dhe Roblox, ndërsa Kina vijon të zbatojë një nga sistemet më të strukturuara të kontrollit të përdorimit të internetit nga të miturit.


Edhe vende të tjera europiane po përgatisin kufizime

Në Portugali është në proces miratimi një projektligj që parashikon ndalimin e plotë të rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç dhe kërkon pëlqimin e prindërve për përdoruesit nga 13 deri në 16 vjeç.


Në Mbretërinë e Bashkuar është njoftuar një projektligj për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, i cili pritet të paraqitet deri në fund të vitit. Masat do të prekin platforma si TikTok, Instagram, Facebook, X, YouTube, Snapchat, Reddit, Twitch dhe Kick.


Edhe Danimarka ka arritur një marrëveshje qeveritare për ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën 15 vjeç, ndërsa në Spanjë kryeministri Pedro Sánchez ka njoftuar një nismë për ndalimin e aksesit për përdoruesit nën 16 vjeç, duke propozuar gjithashtu përgjegjësi penale personale për drejtuesit e platformave në rast shkeljesh.


Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat